
Lionel Messi po zgjeron investimet e tij në futbollin spanjoll. Ylli argjentinas ka arritur një marrëveshje paraprake për të blerë aksionet e klubit CD Eldense dhe për t’u bërë pronari i tij kryesor.
Klubi, me seli pranë Alicante-s, konfirmoi se Messi do të marrë aksionet që aktualisht zotërohen nga “Grupo TH Soluciones”. Megjithatë, marrëveshja duhet të kalojë ende procedurat përfundimtare ligjore, procesin e verifikimit financiar dhe autorizimin e Këshillit të Sportit në Spanjë.
Eldense bëhet klubi i dytë spanjoll në pronësi të ish-sulmuesit të Barcelonës, pasi 39-vjeçari bleu në muajin prill klubin Cornella, që luan në kategorinë e katërt.
Klubi nuk ka bërë të ditur vlerën e marrëveshjes dhe as datën kur transaksioni pritet të përfundojë. Eldense, i themeluar në vitin 1921, njoftoi se detajet e tjera do të publikohen pasi të merren të gjitha autorizimet e nevojshme.
Messi vazhdon aktualisht karrierën si futbollist me Inter Miami.






