Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për shpërthimin e fuqishëm të mëngjesit të kësaj të mërkure në pikën e karburantit “EiDA”, në zonën e Brrylit në Tiranë, ku mbetën të plagosur tre punonjës dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Ndryshe nga dyshimet e para për shpërthimin e një bombule gazi gjatë furnizimit të një automjeti, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka bërë të ditur paraprakisht se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburantit.

Sipas ISHTI-t, dyshimet e para janë për një ngjarje të nisur nga një automjet brenda territorit të pikës së karburantit, e cila më pas është shoqëruar me eksplozion.

“Nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet në territorin e stacionit të karburanteve, që është shoqëruar dhe me eksplozion”, është qëndrimi paraprak i ISHTI-t.

Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shpërthimi duket se ka ndodhur në zonën e zyrave të karburantit dhe jo te rezervuarët.

“Ka qenë shpërthim, jo zjarr. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, zyrat janë rrëzuar”, tha Goxhaj.

Sipas tij, një nga pistat është shpërthimi i gazit ose i avujve të benzinës, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që një automjet të ketë goditur objektin.

Policia e Tiranës kishte njoftuar më herët se paraprakisht dyshohej për shpërthimin e një bombule gazi në momentin kur një automjet po furnizohej me karburant.

Nga ngjarja mbetën të plagosur tre punonjës të karburantit, të cilët u transportuan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme, ndërsa godina njëkatëshe pranë pikës së karburantit u shemb.

Në orët e para pas ngjarjes qarkulluan edhe dyshime për përdorimin e tritolit, por deri tani kjo pistë nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Shkaku përfundimtar i shpërthimit mbetet ende nën hetim. Grupi hetimor po shqyrton provat për të përcaktuar nëse ngjarja u shkaktua nga gazi, avujt e karburantit, një automjet apo një faktor tjetër.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu