
Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në një karburant në zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka ndodhur në karburantin “Eida” dhe dyshohet se është shkaktuar nga një bombol/depozitë gazi që përdorej për furnizimin e automjeteve. Në momentin e incidentit një automjet po furnizohej me gaz.
Tre punonjës të karburantit kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Fuqia e shpërthimit ka dëmtuar rëndë strukturën e karburantit dhe ka shembur godinën njëkatëshe ku qëndronin punonjësit. Njëri prej tyre mbeti për disa minuta i bllokuar brenda, ndërsa banorët e zonës ndërhynë dhe arritën ta nxirrnin.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë të mëdha, ndërsa banorët kanë dalë në rrugë të alarmuar.
“Ishte si tërmet”, kanë përshkruar disa prej tyre momentin e shpërthimit.
Në zonë kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikëset dhe ambulancat. Për shkak të incidentit është devijuar edhe qarkullimi i automjeteve, ndërsa vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të shpërthimit.

Tiranë/Informacion paraprak
Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.






