Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se problemet shëndetësore që prekën 139 qytetarë në Fushë-Arrëz lidhen me ujin e pijshëm të rrjetit publik.

Rastet janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026. ISHP e ka kategorizuar ngjarjen si një shpërthim me transmetim hidrik, duke e lidhur me moszbatimin korrekt të praktikave higjieno-sanitare për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së ujit.

Nga 139 personat e prekur, 128 ose 91.7% janë banorë të Fushë-Arrëzit, ndërsa përqendrimi më i madh i rasteve është regjistruar në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”.

Të gjithë personat e prekur kanë shfaqur diarre, 128 kanë raportuar të vjella dhe 81 temperaturë. Grupmoshat variojnë nga fëmijë 2-vjeçarë deri te të moshuar 94 vjeç.

Hetimi epidemiologjik është përqendruar te sistemi i furnizimit me ujë, pasi personat e prekur kanë deklaruar se konsumonin ujë nga i njëjti rrjet publik.

Analizat laboratorike kanë zbuluar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit. Në mostrat e analizuara janë konstatuar koliforme dhe enterokokë.

Probleme janë evidentuar edhe me dezinfektimin. Sipas raportit, analiza e hipokloritit të natriumit tregoi një nivel të klorit aktiv prej 9.04%, ndërkohë që kufiri i përcaktuar ishte 13–15%. Për rrjedhojë, nuk përmbusheshin kërkesat e përcaktuara për përdorimin e tij në procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm.

Rasti ngre pikëpyetje edhe mbi menaxhimin e furnizimit me ujë në Fushë-Arrëz, ndërsa përgjegjësinë për këtë shërbim e ka Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Shkodër.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu