Arben Ahmetaj ka publikuar gjashtë pjesë nga një audiopërgjim që, sipas tij, ngre dyshime për mënyrën e përdorimit të fondeve dhe aseteve publike, si dhe për aktivitet në tregtinë ndërkombëtare të armëve.

Gjatë intervistës nga Zvicra në “Çim Peka LIVE”, Ahmetaj tha se regjistrimi është i janarit 2026 dhe se një nga personat që dëgjohet në të është biznesmeni Ron Yefet. Sipas tij, biseda zhvillohet mes Yefet dhe dy personave të tjerë, të cilët ai i përshkroi si ukrainishtfolës dhe rusishtfolës.

Ahmetaj pretendoi se bisedat lidhen me atë që ai e quan “koncepti KAYO”, një model ku një kompani shtetërore hyn në bashkëpunim me kompani private. Ish-zëvendëskryeministri pretendon se përmes këtij mekanizmi para publike dhe asete shtetërore përfundojnë te subjektet private pa procedura konkurruese.

Në denoncimin e tij, Ahmetaj përmendi Timak Defense, duke deklaruar se 80% e kompanisë zotërohet nga Timak dhe 20% nga KAYO. Ai publikoi edhe të dhëna që i paraqiti si pjesë të pasqyrave financiare të kompanisë, duke pretenduar se ajo ka përfituar shuma të konsiderueshme në formën e paradhënieve nga buxheti i shtetit, ndërkohë që investimi nga kapitali privat, sipas tij, është minimal.

Një tjetër akuzë e fortë lidhet me armët. Ahmetaj pretendoi se pjesë të audiopërgjimit flasin për armë që vijnë nga vende të tjera, paketohen ose përpunohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit. Ai e cilësoi këtë si trafik ndërkombëtar armësh, duke e dalluar nga marrëveshjet zyrtare që Shqipëria ka në kuadër të NATO-s dhe mbështetjes për Ukrainën.

Në intervistë u përmendën gjithashtu Delvina, TEC-i i Vlorës dhe prona shtetërore, për të cilat Ahmetaj pretendon se ka pasur plane për t’i kaluar nën kontrollin e strukturave private.

Ish-zëvendëskryeministri ngriti akuza edhe ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe drejtpërdrejt ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin gjatë intervistës e referoi vazhdimisht si “kreu i organizatës”.

Në pjesën e fundit të materialit të publikuar, Ahmetaj pretendon se në audiopërgjim Ron Yefet shprehet se qeveria i ka marrë “për të bërë gjërat e këqija të tyre”. Ahmetaj e paraqiti këtë deklaratë si një nga elementet kryesore të denoncimit të tij.

Ai deklaroi gjithashtu se disponon një tjetër regjistrim rreth treorësh, të realizuar sipas tij në Monako, të cilin paralajmëroi se mund ta publikojë në vijim.

Pretendimet e bëra nga Ahmetaj dhe interpretimi që ai u bën audiopërgjimeve janë akuza të tij publike. Në materialin e publikuar nuk paraqitet një verifikim i pavarur që të provojë akuzat për trafik armësh apo veprimtari të tjera kriminale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu