
Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa qarqe të vendit. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të 6 shtatorit janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe vetëm 2 janë fikur.
Vëmendja kryesore është përqendruar në Malin e Dajtit, ku zjarri vijon të jetë aktiv. Në operacion, përveç strukturave vendore, janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura me efektivë, mjete dhe helikopter.
Një tjetër vatër problematike është ajo në Kryezi të Kavajës, ku ndërhyrja e zjarrfikësve po mbështetet nga ajri me një avion Air Tractor.
Në Dibër mbetet aktive vatra në zonën Lundre–Madhesh të Matit, ndërsa në Lezhë vijon operacioni në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Situata mbetet aktive edhe në Qarkun e Shkodrës. Në zonën Bardhaj–Myselim janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, përfshirë dy helikopterë. Aktiv është edhe zjarri në Kulumri të Fushë-Arrëzit.
Vatra të tjera aktive raportohen në Kropisht të Selenicës, Vokopolë të Poliçanit dhe Tërbun të Pukës.
Ndërkohë, disa zjarre në Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër janë nën mbikëqyrje. Në zonën Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit situata gjithashtu po mbahet nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje.






