Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur para shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar rikthimin e tij në SHBA si një ditë që, sipas tij, shumëkush e kishte menduar të pamundur.

Në fjalën e tij, Berisha iu rikthye shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe betejës së zhvilluar gjatë viteve të fundit, ndërsa falënderoi presidentin Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne? Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne?”, deklaroi Berisha.

Përgjigjen e dha vetë, duke e lidhur betejën e tij me identitetin dhe qëndresën e shqiptarëve.

“Ne jemi shqiptarë! Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë”, tha kreu demokrat.

Berisha e cilësoi vendimin që katër vite më parë i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara si një “agresion të padrejtë” ndaj dinjitetit të tij. Ai pretendoi se vendimi nuk përfaqësonte vlerat e SHBA-së, por lidhej me ato që i quajti “axhenda antiliri” të “ekstremit të majtë”.

Kreu i PD-së tha se kishte vendosur të mos dorëzohej dhe e lidhi ndryshimin e situatës së tij me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, deklaroi Berisha.

Ai nuk dha në këtë pjesë të fjalimit emrat e personave të cilëve iu referua me këto akuza.

Në fund, Berisha falënderoi mbështetësit shqiptarë në SHBA, si dhe administratën amerikane.

“Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij”, u shpreh Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu