
Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Himarë, në zonën e prekur nga zjarri gjatë natës së kaluar, ku pa nga afër situatën dhe angazhimin e strukturave në terren.
Rama takoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të përfshira në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.
Gjatë 24 orëve të fundit, në operacionet kundër zjarreve janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura.
Operacionet janë mbështetur gjatë ditës edhe nga ajri, me helikopterë dhe avionin Air Tractor.
Pas ndërhyrjes për përballimin e flakëve, vëmendja zhvendoset te pasojat. Bashkia e Himarës do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri.






