
Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Laçin 3-1 në ndeshjen e javës së tretë të Kategorisë Superiore.
Durrsakët e nisën më mirë takimin dhe zhbllokuan rezultatin me Kallakun, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Vetëm tre minuta më vonë, Votlai goditi sërish, duke dyfishuar avantazhin e Teutës.
Laçi pati mundësinë të rikthehej në lojë nga 11-metërshi, por kurbinasit shpërdoruan penalltinë dhe skuadrat shkuan në pushim me avantazhin e dyfishtë të miqve.
Në pjesën e dytë, Bibo ndezi shpresat e Laçit me një supergol që ngushtoi diferencën. Megjithatë, Teuta nuk e lëshoi fitoren nga duart.
Në fund ishte Pedro që shënoi golin e tretë dhe vulosi rezultatin 3-1 për skuadrën durrsake.
Me këtë sukses, Teuta ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 7 pikë pas tri javësh kampionat. Laçi mbetet në vendin e tretë me 4 pikë.






