
Himara ka kaluar një natë dramatike nën kërcënimin e flakëve, të cilat zbritën me shpejtësi nga kodrat drejt zonave të banuara, duke detyruar banorë dhe turistë të braktisnin shtëpitë dhe hotelet.
Bilanci i zjarrit është i rëndë: shtatë banesa janë djegur, tre prej tyre të banuara, ndërsa sipërfaqe të mëdha me ullishte janë shkrumbuar. Fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo persona të plagosur.
Dy të moshuar janë shpëtuar nga një banesë që u përfshi nga flakët.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 1, pranë zonës së Bypass-it. I favorizuar nga era, brenda pak orësh ai iu afrua shtëpive dhe strukturave turistike, duke shkaktuar panik.
Banorët tregojnë se flakët mbërritën pranë shtëpive brenda pak minutash. Policia ndërhyri për evakuimin, ndërsa turistët lanë hotelet me valixhet në duar dhe u zhvendosën drejt zonave më të sigurta.
Gjatë natës u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse, policia, strukturat e emergjencave dhe Forcat e Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se vetëm nga FA u angazhuan 171 efektivë dhe 10 mjete, si dhe një zjarrfikëse e një ambulancë.
Zjarri u vendos nën kontroll rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa mëngjesin e së shtunës situata paraqitet ndjeshëm më e qetë. Operacioni vazhdon për shuarjen e plotë të vatrave dhe në ndërhyrje është angazhuar edhe një helikopter.
Në terren kanë mbërritur edhe drejtues të institucioneve shtetërore, ndërsa puna vijon për evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.






