Situata nga zjarri në Himarë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mbrëmjes, ndërsa flakët kanë avancuar drejt zonave të banuara, duke rrezikuar banesa dhe struktura hoteliere.

Sipas informacioneve nga terreni, rreth 40 banesa rrezikohen nga zjarri. Përhapja e shpejtë e flakëve, e favorizuar edhe nga era, ka detyruar nisjen e evakuimit të banorëve, por edhe të turistëve që ndodhen në hotelet e zonës.

Në kushtet e përkeqësimit të situatës është shpërndarë edhe një thirrje urgjente për banorët e Himarës, të cilëve u kërkohet të largohen nga shtëpitë, bizneset apo ambientet e tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën.

“Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara, ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën”, thuhet në njoftim.

Banorëve u kërkohet të ruajnë qetësinë, të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të kërkojnë ndihmën e policisë, Policisë Bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore.

Në terren vijojnë të punojnë forcat zjarrfikëse për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe hoteleve. Në ndihmë të tyre janë nisur edhe mjete zjarrfikëse nga bashkitë fqinje.

Për qytetarët janë vënë në dispozicion numrat e kontaktit:

+355 69 600 0200
+355 69 260 4355
+355 69 478 6723
+355 69 726 6533
+355 69 252 1907
+355 68 240 6302
+355 69 539 2571
+355 69 580 3899
+355 69 323 7130
+355 69 463 6213

Frika kryesore mbetet avancimi i zjarrit drejt zonave të banuara, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë dhe ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjen në një situatë tejet të rënduar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu