
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte të lidhura me vrasjen e civilëve në lagjen e familjes Jashari në Prekaz.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e cilësoi çështjen me rëndësi të veçantë.
Sipas tij, kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, deklaroi Isufaj gjatë një konference për mediat.
Kryeprokurori tha se hetimet për këtë çështje janë zhvilluar me kujdes të shtuar, me synimin që pretendimet e Prokurorisë të provohen përpara gjykatës.
Pas dorëzimit të dosjes, tashmë i takon Gjykatës Themelore në Prishtinë të shqyrtojë aktakuzën dhe provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale.






