
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur këtë të premte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krye të një delegacioni të opozitës.
Sipas Partisë Demokratike, gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha do të marrë pjesë në konventën e Partisë Republikane, ndërsa në axhendë parashikohen edhe takime me diasporën shqiptare, zyrtarë, kongresmenë dhe senatorë amerikanë.
Pak para nisjes nga aeroporti i Rinasit, Berisha e cilësoi vizitën si “udhëtimin e viteve për Shqipërinë”, duke e krahasuar me udhëtimin e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në mars të vitit 1991.
“Kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991. Se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD hodhi poshtë interpretimin se rikthimi i tij në SHBA përbën vetëm një fitore personale.
“Nuk ka asgjë personale. Prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni që ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Kurse në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi, të cilëve u them: unë erdha, erdha”, tha ai.
Berisha pranoi se ky udhëtim ka një emocion të veçantë dhe se sheh ngjashmëri me vizitën e tij të parë në SHBA, megjithëse, siç u shpreh, dy momentet janë “vite dritë larg”.
Para largimit, Berisha nuk kurseu as një mesazh për kryeministrin Edi Rama. I pyetur nga gazetarët se çfarë do t’i thoshte kreut të qeverisë, ai u përgjigj: “Për Padrinon, i them se po niset si Padrino dhe po arrin si Ramaduro”.
Rikthimi i Berishës në Shtetet e Bashkuara vjen pas një mungese shumëvjeçare dhe në një moment që kreu demokrat e konsideron me rëndësi të veçantë politike për opozitën dhe Shqipërinë.






