Kriza brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit po thellohet, ndërsa marrëveshja e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut është vënë në pikëpyetje nga kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se pavarësisht kundërshtimeve brenda LDK-së, për Vetëvendosjen marrëveshja politike për kandidaturën e Sejdiut vazhdon të jetë valide.

Kurti paralajmëroi takime të tjera me drejtuesit e LDK-së për të gjetur një rrugëdalje nga situata.

“Do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, deklaroi Kurti.

Ai nuk përjashtoi as një takim të ri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Por situata brenda LDK-së është tensionuar ndjeshëm. Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë dalë kundër marrëveshjes së arritur nga Abdixhiku me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president.

Kundërshtimi i gjashtë deputetëve rrezikon seriozisht votat e nevojshme për zgjedhjen e Sejdiut, nëse në proces nuk përfshihen edhe parti të tjera shqiptare.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi ashpër ndaj gjashtë deputetëve, duke i akuzuar se me qëndrimin e tyre po e çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

Sipas Abdixhikut, marrëveshja me Vetëvendosjen nuk kishte të bënte me krijimin e një qeverie të përbashkët, pasi LDK kishte vendosur të qëndronte në opozitë, por vetëm me zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!”, shkroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së i akuzoi gjithashtu kundërshtarët brenda partisë se po dëmtojnë vetë subjektin politik dhe se po ndikohen nga agjenda të grupeve të tjera.

Nga ana tjetër, gjashtë deputetët që kundërshtojnë marrëveshjen kanë argumentuar se nuk duan që vota e tyre të shërbejë për zgjatjen e pushtetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përplasja e brendshme e ka bërë të pasigurt fatin e kandidaturës së Bekim Sejdiut dhe mund ta rikthejë Kosovën përballë skenarit të zgjedhjeve të reja, nëse palët nuk arrijnë një kompromis.

Burimi: KOHA.net

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu