
Një situatë shqetësuese është krijuar në Fushë-Arrëz, ku rreth 120 persona janë paraqitur gjatë katër ditëve të fundit për ndihmë mjekësore, me simptoma që dyshohet se lidhen me ndotjen e ujit të pijshëm.
Banorët që kanë kërkuar ndihmë kanë shfaqur simptoma të ngjashme me gastroenteritin, mes tyre të vjella, diarre, dhimbje barku dhe nauze. Pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore, pjesa më e madhe janë rikthyer në banesat e tyre.
Dyshimet kryesore të banorëve janë përqendruar te uji i pijshëm. Sipas raportimeve, qytetarët kishin ngritur shqetësimin se uji që mbërrinte në rubinetet e tyre mbante erë të rëndë.
Për të përcaktuar shkakun e situatës, strukturat e Shëndetit Publik dhe ato të Higjienës kanë marrë mostra të ujit të pijshëm, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
Deri tani nuk ka një rezultat zyrtar që të konfirmojë se simptomat e rreth 120 personave janë shkaktuar nga ndotja e ujit, ndaj priten rezultatet e analizave.
Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Mikel Qafa. Ai deklaroi se përgjegjësia për furnizimin me ujë i takon Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Shkodër.
Qafa e lidhi situatën edhe me problematikat e shërbimeve në zonë dhe debatet për propozimin që Bashkia Fushë-Arrëz të shkrihet me Bashkinë Pukë.
Ndërkohë, në pritje të rezultateve laboratorike dhe sqarimit përfundimtar nga institucionet përgjegjëse, një pjesë e banorëve kanë zgjedhur të mos përdorin ujin e rrjetit për konsum. Ata po furnizohen me ujë në krojet e zonës.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa analizat pritet të përcaktojnë nëse ekziston një lidhje mes cilësisë së ujit të pijshëm dhe numrit të lartë të personave që kanë shfaqur probleme gastrointestinale.






