
Mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërruese në Nepal, pranë kufirit me Tibetin, ndërsa më shumë se 3,900 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes tyre janë mbi 600 punëtorë që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në tunelet e mbushura me baltë të hidrocentraleve përgjatë lumit Trishuli.
Ekipet e shpëtimit po pompojnë ajër në tunele, ndërsa ushtria ka përdorur edhe eksploziv për të hapur rrugë përmes masiveve shkëmbore. Kryeministri nepalez Balendra Shah bëri të ditur se 279 persona janë shpëtuar deri tani. Në operacion marrin pjesë forca nga Nepali dhe Kina, si dhe ekspertë nga India, Koreja dhe Australia.
Autoritetet thonë se të paktën 11 hidrocentrale, të përfunduara ose në ndërtim, janë dëmtuar. Familjarët e qindra personave të bllokuar vazhdojnë të shpresojnë se ata mund të jenë gjallë, pasi disa prej tuneleve kanë sisteme furnizimi me oksigjen.
Përmasat e tragjedisë kanë vështirësuar edhe identifikimin e viktimave. Vetëm rreth 4% e 900 trupave të gjetur deri në një fazë të operacionit ishin identifikuar, ndërsa në Chitwan autoritetet janë detyruar të kryejnë varrime të përkohshme të trupave të paidentifikuar, pasi morgjet nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.
Edhe Tibeti është goditur rëndë. Sipas shifrave zyrtare kineze, të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 546 rezultojnë të zhdukur.
Burimi: BBC






