Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshjen për kandidatin e përbashkët për president. Emri që ka bashkuar Albin Kurtin dhe Lumir Abdixhikun është ai i ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

Marrëveshjen e konfirmoi kryetari i LDK-së pas takimit me drejtuesin e Vetëvendosjes. Abdixhiku tregoi se gjatë negociatave ishin propozuar dhe shqyrtuar disa personalitete me kontribut profesional dhe kombëtar.

“Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra të personaliteteve të shquara, që kanë dhënë kontribut profesional e kombëtar. Nga të gjithë emrat e propozuar e shqyrtuar, jemi dakorduar për një emër, Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.

Marrëveshja mes dy forcave politike synon t’i japë fund ngërçit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Tashmë beteja zhvendoset në Kuvend, ku duhet të sigurohet prania dhe mbështetja e nevojshme e deputetëve.

Në dy raundet e para, kandidati për president duhet të marrë 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Për zhvillimin e procesit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Bekim Sejdiu ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju-Jork. Ai është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu