
Bekim Sejdiu është emri që po qarkullon si kandidat i mundshëm për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Sipas raportimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim për kandidaturën e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Dakordimi raportohet se është arritur gjatë takimit të parafundit mes dy drejtuesve politikë, të zhvilluar të mërkurën. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se emri i Sejdiut është miratuar përfundimisht.
Kurti dhe Abdixhiku zhvilluan një tjetër takim të paparalajmëruar të shtunën në mbrëmje, por nuk treguan se çfarë ishte diskutuar.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, deklaroi shkurt Kurti pas përfundimit të takimit.
Emri i Bekim Sejdiut tashmë raportohet se është vendosur në qendër të negociatave politike. Ende mbetet e paqartë nëse ai do të jetë kandidati përfundimtar dhe nëse do të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.
Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu ka lindur në vitin 1974 dhe ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përpara angazhimit në sistemin e drejtësisë, ai ka pasur një karrierë të gjatë akademike dhe diplomatike.
Sejdiu ka qenë ambasadori i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012. Më pas ka shërbyer si konsull i përgjithshëm në Nju-Jork gjatë viteve 2012–2014.
Përpara emërimit si ambasador, ai ka punuar si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Prej vitit 2002, Sejdiu është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa është specializuar në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejtat e njeriut. Ai ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.
Sa vota duhen për zgjedhjen e presidentit?
Zgjedhja e presidentit kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në Kuvend. Në dy raundet e para, kandidati duhet të sigurojë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, pra 80 vota.
Nëse procesi kalon në raundin e tretë, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 61 vota.
Pavarësisht raportimeve për një dakordim në parim mes Kurtit dhe Abdixhikut, kandidatura e Bekim Sejdiut nuk është shpallur zyrtarisht. Negociatat dhe sigurimi i numrave në Kuvend pritet të përcaktojnë nëse ai do të jetë personi që do të marrë drejtimin e shtetit.






