
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë. Katër prej tyre mbeten aktive, ndërsa dy të tjera janë nën mbikëqyrje.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse. Operacionet janë mbështetur nga katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata më problematike vijon në Malin e Dajtit, veçanërisht në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë regjistruar riaktivizime dhe zgjerim të flakëve.
Në operacion janë angazhuar 15 zjarrfikës, nëntë punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Qarkun e Dibrës mbeten aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal po operojnë 38 forca zjarrfikëse dhe bashkiake, të mbështetura nga 30 efektivë të FA-së.
Në Sllatinë janë angazhuar 91 forca operacionale. Ministria e Mbrojtjes njofton se flakët nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk rrezikojnë banesat.
Ministria informoi gjithashtu se gjatë natës u regjistrua një tërmet me magnitudë ML 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo të Bashkisë Delvinë. Nga lëkundjet nuk janë raportuar probleme në komunitet apo dëmtime në infrastrukturë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri.






