Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Mirditë dhe është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

I plagosuri është Andrea Kaçi, 28 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, incidenti ndodhi gjatë furnizimit me ujë të një automjeti zjarrfikës, kur një tub me diametër 120 milimetra plasi nga presioni.

Pjesa metalike e tubit u shkëput dhe goditi efektivin, duke i shkaktuar dëmtime.

28-vjeçari u mor menjëherë në kujdes dhe u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Aktualisht ai po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë qëndrimit në Spitalin e Traumës, efektivi është vizituar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se po ndjek nga afër gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa operacionet kundër zjarreve në Mirditë vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu