
Kalimi i menjëhershëm nga temperaturat përvëluese të verës në ambiente shumë të ftohta me kondicioner mund të shkaktojë një sërë shqetësimesh në organizëm, veçanërisht kur diferenca e temperaturës është shumë e madhe.
Kur jashtë temperaturat arrijnë 38–40 gradë, trupi përpiqet të ruajë temperaturën e brendshme rreth 37 gradë duke rritur qarkullimin e gjakut drejt lëkurës dhe djersitjen. Ky proces kërkon punë shtesë nga sistemi kardiovaskular dhe mund të bëhet veçanërisht i rëndë për të moshuarit, personat me sëmundje të zemrës dhe ata që marrin medikamente që ndikojnë në hidratim.
Hyrja menjëherë në një ambient me 20 gradë shkakton efektin e kundërt: enët e gjakut në lëkurë ngushtohen, djersitja ndalet dhe gjaku zhvendoset përsëri drejt organeve të brendshme.
Për një person të shëndetshëm ky ndryshim nuk është domosdoshmërisht i rrezikshëm, por problemet shtohen kur diferenca termike është shumë e madhe ose kur ajri i ftohtë godet drejtpërdrejt trupin.
Ekspertët sqarojnë se kondicioneri nuk shkakton vetë infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Megjithatë, ajri i thatë mund të shkaktojë tharje dhe irritim të hundës dhe fytit, tharje të syve, ndërsa rrymat e ftohta të drejtuara mbi qafë dhe shpatulla mund të favorizojnë kontraktura dhe dhimbje muskulore.
Një tjetër problem lidhet me mirëmbajtjen e kondicionerëve. Filtrat e papastruar dhe depozitat e ujit mund të favorizojnë zhvillimin e mykut dhe baktereve, ndërsa në sisteme të caktuara të centralizuara ekziston edhe rreziku i Legionellës, një bakter që mund të zhvillohet në sistemet e ujit dhe, kur thithet përmes pikëzave të kontaminuara, mund të shkaktojë një infeksion serioz të mushkërive të quajtur legionelozë.
Ekspertët rekomandojnë që temperatura në shtëpi të mbahet mes 24 dhe 26 gradë Celsius. Në makinë, diferenca mes temperaturës së jashtme dhe asaj brenda nuk duhet të jetë më shumë se rreth 5 gradë.
Ajri nuk duhet drejtuar mbi fytyrë, qafë apo shpatulla, ndërsa lagështia ideale në ambient duhet të jetë 40–60%. Filtrat duhet të pastrohen rregullisht dhe ambientet duhet të ajrosen disa herë gjatë ditës.
Për të moshuarit, gjatë natës rekomandohet që temperatura e dhomës të mos kalojë rreth 24 gradë, ndërsa hidratimi mbetet i rëndësishëm edhe kur në ambient të freskët ndjenja e etjes është më e ulët.



