
Gjykata Speciale pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Por edhe nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpallet i pafajshëm në këtë proces, lirimi i tij nga paraburgimi nuk do të ishte domosdoshmërisht automatik.
Arsyeja është se ndaj Thaçit zhvillohet paralelisht edhe një proces i dytë, ai për pengim të drejtësisë, për të cilin ekziston një urdhër i veçantë paraburgimi.
Sipas rregullave të Gjykatës Speciale, një person i paraburgosur që shpallet i pafajshëm lirohet menjëherë, përveç rasteve kur mbahet ligjërisht në paraburgim për një çështje tjetër.
Në rastin e Thaçit, vendimi nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim pas një pafajësie të mundshme në procesin e parë do t’i takonte gjyqtarit që shqyrton çështjen e pengimit të drejtësisë.
Paraburgimi në këtë proces rishikohet çdo dy muaj. Vendimi i fundit për vazhdimin e tij është marrë më 31 korrik, me argumentin se vijon të ekzistojë rreziku i pengimit të procedurave ose i kryerjes së veprave të tjera penale.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Në procesin kryesor, ai dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënime deri në 45 vjet burg për secilin.
Ndërkohë, procesi i dytë ndaj Thaçit lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Deklaratat përmbyllëse në këtë çështje janë caktuar për 10, 11 dhe 14 shtator.






