
Kryeministri Edi Rama ka folur për raportin e tij të pazakontë mes politikës dhe artit, duke treguar se vizatimet shumëngjyrëshe që mbushin zyrën e tij në Kryeministri janë edhe një mënyrë për t’u shkëputur nga presioni i pushtetit.
Në një intervistë për median spanjolle “El País”, Rama thotë se arti për të është një mënyrë për të ruajtur ekuilibrin përballë politikës.
“Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri”, shprehet Rama, duke e përshkruar vizatimin si një formë “detoksifikimi” nga politika.
Kryeministri tregon se shumë prej vizatimeve të tij krijohen gjatë konferencave dhe mbledhjeve zyrtare. Më pas ato shndërrohen në letër-muri dhe vendosen në muret e zyrës së tij, duke shkaktuar reagime të ndryshme te liderët e huaj që e vizitojnë.
Rama kujton edhe një episod me një udhëheqës të huaj, emrin e të cilit nuk e zbulon. I habitur nga ambienti shumëngjyrësh, ai e kishte pyetur se ku ndodhej zyra e kryeministrit.
Kur Rama i ishte përgjigjur se ndodheshin pikërisht në zyrën e tij, lideri kishte menduar se ambienti ishte një hapësirë ku kujdeseshin fëmijët e punonjësve.
“Ju jeni një njeri i çuditshëm, Edi Rama”, i kishte thënë ai.
“Jo, i vetmi fëmijë këtu jam unë”, kishte qenë përgjigjja e Ramës.
Kryeministri flet gjithashtu për rrugëtimin e tij nga Akademia e Arteve në politikë, vitet si kryebashkiak i Tiranës dhe përdorimin e ngjyrave për transformimin e fasadave të kryeqytetit.
Rama zbulon edhe mënyrën e re të krijimit të skulpturave të tij. Pikturat shndërrohen me ndihmën e inteligjencës artificiale në modele digjitale, realizohen përmes printimit 3D dhe më pas përpunohen me dorë.
Pavarësisht ndërthurjes së dy karrierave, Rama këmbëngul se arti dhe politika duhet të ruajnë kufijtë e tyre, duke deklaruar se “qëllimi i artit nuk është të ndryshojë botën”, por të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e shohin atë.






