
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të fortë për Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se së shpejti do ta shpallë atë “territor të Shteteve të Bashkuara”, ndërsa pretendoi se Irani po pëson një humbje të rëndë në luftë.
Duke folur gjatë një aktiviteti në Nju Jork, Trump tha se SHBA ka vendosur tashmë një bllokadë dhe kontrollon kalimin e anijeve në këtë korridor strategjik për tregtinë botërore të naftës.
“Pasi kemi mundur Iranin, i cili po pëson një humbje të rëndë, shumë shpejt do ta shpall Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se “asnjë anije nuk kalon nëse ne nuk duam”, duke e paraqitur situatën si kontroll të drejtpërdrejtë amerikan mbi lundrimin në zonë.
Deklarata vjen ndërsa tensionet në Hormuz janë përshkallëzuar. Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan Iranin për sulmin ndaj dy anijeve të kompanisë ADNOC. Nuk u raportuan të plagosur, ndërsa sulmi u dënua nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe Liga Arabe.
Nga ana tjetër, Teherani ka miratuar në parim një plan strategjik për Hormuzin, i cili parashikon ndalimin e kalimit të anijeve dhe pajisjeve në pronësi të SHBA-së, Izraelit dhe vendeve që Irani i konsideron armiqësore.
Presioni ndaj Teheranit pritet të shtohet edhe në planin ekonomik. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi masa të reja gjatë javës së ardhshme dhe një “izolim ekonomik” të paprecedentë ndaj Iranit.
Në të njëjtën ditë, Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte rrëzuar një dron amerikan MQ-9 Reaper mbi provincën Hormozgan.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit, për shkak të rëndësisë së saj për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit.






