Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Beogradi ka ndërhyrë për të penguar hapjen për qarkullim të Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Deklarata vjen pas njoftimit të KFOR-it për tërheqjen graduale nga ura, një zhvillim që Vuçiç thotë se nuk ishte i papritur për të.

Duke folur për Radio Televizionin e Serbisë, presidenti serb iu referua kontakteve të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsiloviç, me komandantin e KFOR-it.

“Ata donin ta hapnin urën mbi Ibër në Mitrovicë dhe për këtë arsye pasoi ndërhyrja jonë që një gjë e tillë të mos lejohet”, deklaroi Vuçiç.

Ura mbi Ibër është prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme në Mitrovicë dhe ka shërbyer si simbol i ndarjes mes veriut me shumicë serbe dhe jugut të qytetit. Aktualisht ajo është e hapur vetëm për këmbësorët.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që në vitin 2014 për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashikonte rivitalizimin e saj dhe largimin e barrikadave.

Deklarata e Vuçiçit vjen në një moment tensionesh të reja rreth Ibrit, pas deklaratave të tij edhe për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu