Komisioni Evropian ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke paralajmëruar se qëndrime të tilla nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Zëdhënësja e BE-së për çështjet e jashtme, Anitta Hipper, shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse deklaratat e Vuçiçit mund të sjellin pasoja konkrete për procesin e anëtarësimit të Serbisë.

Megjithatë, ajo kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për avancimin e Beogradit drejt Bashkimit Evropian.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshimin e rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk mbështesin normalizimin duhet të shmangen. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, ishte qëndrimi i përcjellë nga Brukseli.

BE theksoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbetet parakusht për avancimin e të dyja palëve në rrugën evropiane.

Vuçiç kishte deklaruar se Serbia po shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke përdorur edhe shprehjen “të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët pastaj”.

Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa debati tashmë është zhvendosur edhe në Bruksel.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu