
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Në një postim në Facebook, Pacolli deklaron se kompania MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoriteti kontraktor dhe se është informuar vetëm përmes mediave. Sipas tij, një mënyrë e tillë komunikimi është e papranueshme për një projekt strategjik me rëndësi kombëtare.
Pacolli shprehet se, nëse procedura konfirmohet, shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. Ai pretendon se kompania ka bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje institucionale, por sipas tij kjo është penguar nga veprime të paligjshme, neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga disa përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Sipas Pacollit, MABCO ka një ekspozim financiar që kalon 320 milionë euro, pa përfshirë fitimin e munguar dhe kostot ligjore. Ai thotë se kompania kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej në fazën përfundimtare për certifikimin e aeroportit.
Në reagimin e tij, Pacolli pretendon gjithashtu se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kompania është penguar të rikthehet në kantier, ndërsa pajisje dhe asete janë dëmtuar ose vjedhur. Ai e cilëson paradoks faktin që, sipas tij, institucionet penguan përfundimin e projektit dhe tani po përdorin këtë situatë si argument për zgjidhjen e kontratës.
Në përfundim, Pacolli paralajmëron se, nëse procedura vijon, MABCO do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë arbitrazhin tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se kjo nuk është një kërcënim, por pasojë e asaj që ai e cilëson si veprime të paligjshme të institucioneve shtetërore.






