
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave dhe kritikave për projektin e Reformës së re Territoriale, duke theksuar se dokumenti ndodhet në fazën e konsultimit publik dhe se çdo qytetar apo institucion ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama hodhi poshtë pretendimet se kundërshtitë ndaj reformës tregojnë ekzistencën e një “regjimi”, duke deklaruar se as në Shqipëri dhe as në Partinë Socialiste nuk pengohet askush të shprehë opinionin e tij.
Sipas kreut të qeverisë, konsultimi publik 60-ditor është pikërisht faza kur bashkitë, këshillat bashkiakë dhe qytetarët mund të paraqesin qëndrimet e tyre, ndërsa parlamenti do të marrë vendimin përfundimtar.
Rama shtoi se gjatë kësaj periudhe do të shpjegohen më qartë arsyet që kanë çuar në propozimet për hartën e re administrative. Ai nënvizoi se në hartimin e projektit nuk janë marrë parasysh elementë si reputacioni historik i bashkive, traditat apo ngjarjet historike.
“Nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2 mijë viteve të fundit apo gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat nuk janë dhe nuk mund të jenë argumente në këtë debat”, shkroi Rama.
Kryeministri shtoi se edhe bashkitë që kërkojnë të bashkojnë me vete njësi të tjera vendore do të dëgjohen gjatë procesit të konsultimit.






