Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilësoi një “mega-aferë” me licencën e kazinosë në kompleksin Air Albania, duke pretenduar se ajo është dhënë në kundërshtim me ligjin për llogari të personave që, sipas tij, janë prestanome të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit.

Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se bëhet fjalë për një nga aferat më të rënda të viteve të fundit, ndërsa akuzoi Olsi Ramën për lidhje me biznesin e lojërave të fatit dhe call-center-at.

Sipas Berishës, aktiviteti i kazinosë në Air Albania është po aq i paligjshëm sa edhe vetë mënyra e dhënies së licencës, duke pretenduar se dokumentacioni është manipuluar për të favorizuar përfituesit.

Në të njëjtën konferencë, drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, paraqiti detaje të investigimit të demokratëve, duke bërë të ditur se dosja do t’i dorëzohet SPAK-ut për hetime.

Sipas Këlliçit, licenca për kazinonë u transferua te kompania GLG Investment, e cila nuk kishte histori aktiviteti në këtë sektor. Ai pretendoi se për të përmbushur kriterin e kapitalit minimal, kompania përdori një pronë në Kepin e Rodonit, e cila ishte blerë në prill të vitit 2025 për rreth 320 mijë euro, por vetëm pak muaj më vonë u rivlerësua në rreth 26 milionë euro dhe u përdor si kapital për përfitimin e licencës.

Demokratët pretendojnë se miratimi është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe se Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit nuk ka kryer verifikimet e nevojshme mbi pronarin përfitues dhe burimin e kapitalit.

Partia Demokratike njoftoi se materiali i plotë, së bashku me dokumentacionin dhe rrjetin e kompanive që, sipas saj, lidhen me këtë çështje, do t’i referohen SPAK-ut për hetime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu