
Aktivisti Gent Progni ka deklaruar se është kërcënuar me jetë gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, duke pretenduar se një person, për të cilin dyshon se ishte efektiv policie civil, tentoi ta godiste me thikë.
Në një deklaratë për mediat, Progni tha se ngjarja ndodhi ndërsa po filmonte disa persona me rroba civile pranë zonës së protestës.
Sipas tij, një prej tyre iu afrua duke e pyetur pse po filmonte dhe më pas nxori një thikë, duke tentuar ta sulmonte.
“Isha duke filmuar disa policë civilë që ndodheshin në një lokal. Personi u ngrit, më pyeti pse po filmoja, nxori një thikë nga xhepi dhe tentoi të më godiste. E ndalova dhe më pas u krijua rrëmujë. Në vendngjarje erdhën disa policë që thanë: ‘Mos godisni policët'”, deklaroi Progni.
Aktivisti bëri të ditur se do të depozitojë kallëzim penal për kanosje dhe do t’i drejtohet gjithashtu Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë. Ai kërkoi edhe sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për zbardhjen e ngjarjes.
Më vonë, Progni publikoi në rrjetet sociale një fotografi të personit që, sipas pretendimeve të tij, e kërcënoi me thikë. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me këto pretendime.






