Policia e Shtetit ka identifikuar 32 persona të dyshuar për përfshirje në incidentet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, dy prej tyre, O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 30 persona të tjerë po procedohen në gjendje të lirë për një sërë veprash penale, mes tyre organizim i grumbullimeve të paligjshme, prishje e qetësisë publike, kundërshtim i punonjësve të Policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.

Hetimet tregojnë se gjatë tubimit, disa protestues kanë hedhur sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve të Policisë, të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Gjatë kontrollit ndaj njërës prej të arrestuarave, A. I., uniformat blu sekuestruan kapsolla, të cilat u gjetën në një qese plastike që ajo mbante me vete.

Si pasojë e përplasjeve, gjashtë punonjës policie mbetën të lënduar. Ata morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu