
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin, në orën 10:00, si datën kur do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Seanca do të zhvillohet vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues të 7 gushtit. Haxhiu tha se vendosi të shfrytëzojë të gjithë afatin e parashikuar nga Kushtetuta për t’u dhënë partive politike më shumë kohë për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas saj, deri tani janë zhvilluar takime mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësuesve të PDK-së e LDK-së, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk iu përgjigj ftesës për takim.
Ndërkohë, brenda këtij afati pritet të zhvillohet edhe Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, ku do të vendoset për fatin e kryetarit Lumir Abdixhiku, në një moment kur kjo parti po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje për ngritjen e institucioneve të reja.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë verifikuar mandatet e deputetëve, të jetë bërë betimi, si dhe të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.






