
Interesimi i djemve për të ndjekur studimet universitare në Kosovë po bie ndjeshëm, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e tregut të punës dhe përgatitjen e kuadrove të kualifikuara.
Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se mungojnë analizat e mirëfillta mbi nevojat e tregut të punës, ndërsa universitetet vazhdojnë të diplomojnë një numër shumë më të madh studentësh në degë si ekonomia dhe juridiku, sesa kërkon ekonomia e vendit.
Sipas tij, rreth 30% e studentëve në Kosovë studiojnë në fushat e biznesit, administrimit dhe ligjit, megjithëse shumë prej tyre më pas punojnë në profesione që nuk lidhen me diplomën e fituar.
Pupovci thekson se Ministria e Arsimit duhet të rishikojë kuotat e pranimeve dhe të bashkëpunojë me universitetet për t’i përshtatur programet me kërkesat reale të tregut.
Ai shton se punëdhënësit kërkojnë gjithnjë e më shumë aftësi praktike dhe kompetenca si komunikimi, planifikimi dhe puna në grup, ndërsa universitetet nuk arrijnë t’i përgatisin plotësisht studentët për tregun e punës.
Eksperti propozon edhe reformimin e programeve universitare, duke ofruar profile më të gjera studimi që u japin të diplomuarve më shumë mundësi punësimi.
Një tjetër fenomen shqetësues, sipas tij, është rënia e interesit të djemve për arsimin e lartë. Gati 30% e maturantëve meshkuj nuk vazhdojnë universitetin, pasi besojnë se mund të hyjnë në tregun e punës me aftësitë e fituara në arsimin e mesëm.
Si pasojë, sot mbi 60% e studentëve në universitetet e Kosovës janë vajza dhe gra.






