
Lionel Messi e ka cilësuar “të pabesueshme” rastësinë që e vendos përballë Lamine Yamalit në finalen e Kupës së Botës, 19 vjet pasi e mbajti në krahë kur ishte vetëm pesë muajsh.
Në një aktivitet të FIFA-s në Nju Jork, ku ishte i pranishëm edhe legjenda e NFL-së, Tom Brady, kapiteni i Argjentinës komentoi fotografinë ikonike të vitit 2007, kur gjatë një sesioni bamirësie të organizuar nga Barcelona pozoi me foshnjën Lamine Yamal.
“Është një foto e pabesueshme. Fakti që tani të dy po luajmë në Kupën e Botës është i çmendur”, tha Messi.
Tom Brady e cilësoi fotografinë si “profetike”, ndërsa Messi vlerësoi talentin e sulmuesit spanjoll, duke e quajtur një nga futbollistët më të mirë në botë.
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, një yll global. Është vetëm 19 vjeç dhe e ka gjithë karrierën përpara. I uroj më të mirat, por ne do të bëjmë gjithçka që të mos shpallet kampion këtë herë”, deklaroi kapiteni argjentinas.
Messi shtoi se suksesi i Yamalit është edhe sukses i Barcelonës, klubit ku të dy janë formuar, por theksoi se Argjentina do të përpiqet ta kufizojë ndikimin e tij në finalen e së dielës.
Aktiviteti para finales mblodhi disa emra të njohur të sportit botëror, mes tyre Novak Djokovic, Kevin Durant, Rodri, Emiliano Martínez, si edhe trajnerët Lionel Scaloni dhe Luis de la Fuente.






