
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave për qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila foli për “spastrimin etnik” të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se Shqipëria ka reaguar në mënyrën e duhur, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se shteti nuk mund të reagojë me të njëjtën mënyrë ndaj çdo deklarate provokuese që vjen nga Serbia.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkruan Rama.
Kryeministri kritikoi edhe kundërshtarët politikë në Tiranë, duke i akuzuar se shfrytëzojnë çdo rast për protagonizëm politik.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se mjafton të shihen reagimet që vijnë nga Tirana për të kuptuar, sipas tij, se disa kërkojnë vetëm “të marrin poza luftëtarësh në front”, ndërsa kjo kategori, sipas kryeministrit, “meriton vetëm keqardhje”.






