Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria synon të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar, por theksoi se partia e tij, VMRO-DPMNE, është e gatshme të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare në çdo kohë.

I pyetur nga gazetarët nëse vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, Mickoski u shpreh se kjo do të varet nga zhvillimet politike dhe nga shumica parlamentare.

“Ne synojmë një mandat të plotë, pra katër vjet. Megjithatë, nëse ka forca politike dhe një shumicë në Parlament që e kërkon këtë, VMRO-DPMNE është gati të shkojë në zgjedhje në çdo kohë”, deklaroi ai.

Deklarata e kryeministrit vjen pasi gjatë ditës u publikuan disa sondazhe nga parti të pushtetit dhe opozitës, sipas të cilave VMRO-DPMNE ruan një avantazh të ndjeshëm ndaj LSDM-së, ndërsa në kampin shqiptar BDI rezulton me mbështetje më të lartë se koalicioni VLEN.

Edhe pse Mickoski ritheksoi se prioritet mbetet vijimi i qeverisjes deri në fund të mandatit, ai la të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse krijohen rrethanat politike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu