
Gazetaria kulturore në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, e nxitur nga rënia e shtypit të shkruar, presioni ekonomik mbi mediat, mungesa e investimit në kulturë dhe dominimi i spektaklit në hapësirën publike. Në këtë përfundim arrin një analizë e gazetares Elsa Demo, e publikuar nga Reporter.al, e cila sjell dëshmi nga gazetarë që kanë mbuluar kulturën në tre dekadat e fundit.
Sipas analizës, gazetaria kulturore dikur kishte rol të rëndësishëm në debatet publike, duke ndjekur zhvillimet artistike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe politikat shtetërore në këtë fushë. Megjithatë, me kalimin e viteve, rënia e gazetave, interesat ekonomike të pronarëve të mediave dhe orientimi drejt përmbajtjeve argëtuese e kanë tkurrur ndjeshëm këtë sektor.
Në artikull përfshihen dëshmi të gazetarëve si Enkelejda Mema, Violeta Murati, Fatmira Nikolli, Leontina Nika, Valeria Dedaj, Suadela Balliu dhe Elira Kadriu, të cilët rrëfejnë vështirësitë profesionale, censurën editoriale, pagat e ulëta, mungesën e mbështetjes dhe zhvendosjen e shumë gazetarëve drejt politikës apo profesioneve të tjera.
Analiza argumenton se mediat shqiptare i kanë dhënë gjithnjë e më pak hapësirë kulturës, ndërsa debatet kritike janë zëvendësuar nga formate spektakli dhe përmbajtje që synojnë klikimet. Autorja paralajmëron se dobësimi i gazetarisë kulturore cenon edhe vetë cilësinë e debatit publik dhe të jetës demokratike në vend.






