
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat e forta ndaj NATO-s, duke e cilësuar si “qesharake” faktin që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore financiare dhe ushtarake të Aleancës.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe NATO-s “nuk është reciproke”, duke shtuar se aleatët europianë “nuk ishin aty për ne”.
Deklaratat vijnë vetëm pak ditë para samitit të NATO-s, që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, ku liderët e 32 vendeve anëtare pritet të diskutojnë sigurinë euroatlantike, luftën në Ukrainë dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.
Trump ka përsëritur vazhdimisht se Europa duhet të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj dhe se Uashingtoni nuk mund të vazhdojë të mbulojë pjesën më të madhe të kostove të Aleancës.
Në postimin e tij, ai publikoi edhe një grafik ku pretendohet se SHBA investon shumë më tepër në NATO sesa vendet e tjera anëtare.
Nën presionin e administratës Trump, vitin e kaluar liderët e NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Aleanca e Atlantikut të Veriut, e krijuar në vitin 1949, ka qenë për dekada shtylla kryesore e sigurisë në Europë dhe simbol i partneritetit strategjik mes SHBA-së dhe vendeve europiane.






