
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se pret që më 16 shtator drejtësia të vihet në vend dhe ai të rikthehet i lirë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Hamza tha se me Thaçin diskutoi për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, nuk kanë reshtur së besuari në rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, shkroi Hamza.
Ai tha se i ka përcjellë Thaçit përshëndetjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si edhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend.
“Presidentit ia përcolla përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe ata do të kthehen të lirë në shtëpi”, u shpreh kreu i PDK-së.
Sipas Hamzës, edhe Hashim Thaçi i ka kërkuar t’u përcjellë qytetarëve përshëndetjet e tij, ndërsa bisedën e kanë mbyllur me shpresën se do të takohen së shpejti në Kosovë.
Në fund të postimit, Hamza shkroi: “Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”






