Partia Demokratike ka zgjedhur Julia Emirin si kryetare të re të Këshillit Kombëtar, duke zëvendësuar Edi Palokën në këtë post. Emiri fitoi përballë Silva Hasës në votimin e zhvilluar gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Në të njëjtën mbledhje u zhvillua edhe procesi për zgjedhjen e 20 anëtarëve të rinj të Kryesisë së PD-së, ku garuan 61 kandidatë. Për herë të parë, pas ndryshimeve statutore, votimi u organizua në tre lista të ndara: për gratë, burrat dhe të rinjtë.

Julia Emiri, e zgjedhur kryetare e re e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka qenë një nga figurat më aktive në protestat qytetare të zhvilluara para Kryeministrisë gjatë javëve të fundit.

Përveç pjesëmarrjes në tubime, Emiri ka mbajtur disa herë fjalime nga podiumi i protestës, duke u bërë një nga zërat më të spikatur të organizimeve kundër qeverisë.

Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal te protestat qytetare, duke i cilësuar ato si një “lëvizje të gjeneratës Z” dhe u bëri thirrje demokratëve t’i mbështesin ato në çdo mënyrë.

Berisha deklaroi se protestat e organizuara nga opozita kanë “plagosur” qeverinë dhe shprehu besimin se Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet përmes rikthimit të votës së lirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu