Manchester United po kalon një fillim të vështirë të merkatos së verës, pasi ende nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim dhe ka humbur dy objektiva kryesorë për mesfushën.

Pas dështimit për të transferuar Elliot Anderson, i cili iu bashkua Manchester Cityt për 116 milionë paund, “Djajtë e Kuq” humbën edhe garën për Mateus Fernandes. Mesfushori portugez do të transferohet te Tottenham, që ka arritur marrëveshje me West Ham për 85 milionë paund.

United ishte gati të paguante të njëjtën shumë me bonuse, por nuk pranoi të hynte në një garë ofertash me Tottenham, duke këmbëngulur se nuk do të tejkalojë vlerësimet e veta financiare.

Klubi ka siguruar vetëm marrëveshjen prej 35 milionë paundësh me Atalantën për brazilianin Ederson, por transferimi nuk do të zyrtarizohet derisa lojtari të përfundojë angazhimin me Brazilin në Kupën e Botës.

Ndërkohë, drejtuesit po shqyrtojnë alternativa të tjera si Alex Scott, Tyler Adams, Carlos Baleba dhe Felix Nmecha, ndërsa vazhdojnë të monitorojnë situatën e Aurelien Tchouameni te Real Madridi.

Edhe në dalje merkatoja ka ngecur. Përveç largimit të Rasmus Hojlund drejt Napolit dhe futbollistëve që u mbaruan kontratat, asnjë tjetër nuk është shitur. Marcus Rashford mbetet pjesë e skuadrës pasi Barcelona nuk aktivizoi opsionin e blerjes, ndërsa Andre Onana pritet të rikthehet përpara se të finalizohet një huazim i ri te Trabzonspor.

Megjithatë, drejtuesit e Manchester United shprehen të bindur se strategjia e ndjekur është e duhura dhe sigurojnë tifozët se përforcimet do të mbërrijnë përpara mbylljes së merkatos.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu