
Dy punonjës të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” (Burgu 313) në Tiranë kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri-tjetri, në një ngjarje të pazakontë që ka tronditur stafin e burgut.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, specialisti i informacionit me gradën komisar, Zog Muhametaj, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë instruktazhit të ndërrimit të shërbimit. Pavarësisht ndihmës së menjëhershme dhe transportimit drejt Spitalit Ushtarak, ai nuk arriti të mbijetojë.
Vetëm pak orë më vonë, rreth mesnatës, edhe tekniku i kamerave me gradën kryeinspektor, Pëllumb Vrana, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës. Ai u dërgua me urgjencë në QSUT, por ndërroi jetë rreth orës 01:00.
Sipas të dhënave paraprake, në të dy rastet dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë ataku kardiak.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehu ngushëllimet për familjet e dy punonjësve, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në shërbim. Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa Pëllumb Vrana shërbente si teknik i kamerave, me një kontribut të rëndësishëm në sigurinë e institucionit.






