Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i bëri thirrje deputetes Marjana Koçeku të dorëzojë mandatin e deputetes, duke theksuar se ajo është zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste dhe se mandati i përket forcës politike që e kandidoi.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Balla deklaroi se nuk do të komentojë më çështjen, por shtoi se një deputet duhet të respektojë votën dhe partinë që e ka zgjedhur.

“Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur. Personin në fjalë e ka zgjedhur Partia Socialiste e Shqipërisë. Të dorëzojë mandatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, sepse ia ka dhënë Partia Socialiste e Shqipërisë. Nuk është një person i votuar drejtpërdrejt dhe kur të votohet drejtpërdrejt, ka të drejtë edhe ta përdorë mandatin”, u shpreh Balla.

I pyetur për protestat që vijojnë prej javësh në Tiranë, Balla tha se respekton qytetarët që dolën fillimisht për shqetësimet mbi projektin në Zvërnec dhe mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij protesta ka ndryshuar drejtim.

“Respektoj të gjithë ata që dolën në protestë për çështje që lidheshin me shqetësime dhe dyshime për respektimin e normave mjedisore në një investim në Zvërnec. Sot atë çështje e kanë harruar edhe ata për të cilët u ngrit protesta. Të vetmit që flasim për arsyen pse nisi protesta jemi ne. Protestën ua kanë vjedhur atyre që e nisën”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.

Balla shtoi se, sipas tij, në protestë janë përfshirë interesa që nuk lidhen më me kauzën fillestare, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë edhe konkurrenca rajonale turistike dhe ndërhyrje nga vende jo miqësore me Shqipërinë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu