Institucionet në Shqipëri thonë se po mbikëqyrin dhe hetojnë persona që dyshohen për lidhje me Iranin dhe të cilët mund t’i shfrytëzojnë protestat që po mbahen atje tash e 27 ditë.

Qysh në nisje të protestave, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur dyshime se pas tyre fshihen edhe interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Deri më tani, Rama ka etiketuar publikisht dy persona për lidhje me Iranin – shtet me të cilin Tirana ka shkëputur raportet diplomatike më 2022 – Ikballe Hudutin dhe Dritan Goxhajn.

Hudutin – predikuesen fetare nga Kosova që njihet për qëndrime pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara – Rama e akuzoi për lidhje me regjimin iranian. Ai madje publikoi edhe fotografi ku ajo shfaqej me ish-presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinehad.

Huduti ishte parë në protestë në kryeqytetin shqiptar në ditën e 15-të të protestave atje, nga ku kishte postuar edhe video në kanalin e vet në YouTube.

Pas kësaj, autoritetet shqiptare vendosën që Hudutit t’ia ndalojnë hyrjen në Shqipëri për 15 vjet, duke argumentuar se ajo përbën “kërcënim për sigurinë”.

Goxhajn – i cili ka lexuar pesë kërkesat e protestuesve – Rama e cilësoi “zëdhënës të interesave të Iranit”.

Rama publikoi edhe pjesë të postimeve në një llogari që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, që kishin përmbajtje kundër politikave të SHBA-së dhe Izraelit në Lindjen e Mesme.

Në pjesë të postimeve po ashtu kishte tone mbështetëse për Iranin dhe Hezbollahun – grupin militant libanez dhe partinë politike, që SHBA-ja e konsideron organizatë terroriste, ndërkaq BE-ja e ka në listë të zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Të enjten, Goxhaj u procedua penalisht nga policia bashkë me dhjetë shtetas të tjerë shqiptarë, nën dyshime për “përfshirje në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike”.

Policia shqiptare tha po ashtu se Goxhaj dhe të tjerët “kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.

Protestat në Shqipëri, që po quhen “Revolucioni i Flamingove”, nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës. Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama.

Çfarë thonë nga ekzekutivi në Tiranë?

Nga Qeveria shqiptare thanë për Radion Evropa e Lirë (REL) se rastet e publikuara deri më tani për dyshime për lidhje me Iranin bazohen në informacione të verifikuara.

“Kryeministri i Shqipërisë nuk flet me hamendje, por ndan me publikun informacione të verifikuara”, thanë nga zyra për media e ekzekutivit në Tiranë, duke theksuar se në fushën e luftës kibernetike, Shqipëria ka kapacitete të larta për identifikimin dhe reagimin ndaj aktorëve malinjë.

“Irani është vetëm njëri prej tyre”, thanë nga Qeveria shqiptare.

Të pyetur nëse priten vendime të tjera të ngjashme si ai ndaj Hudutit dhe nëse po hetohen edhe persona të tjerë, pjesëmarrës në protestë, për dyshime se veprojnë në favor të interesave iraniane, nga ekzekutivi në Tiranë thanë se institucionet do të vijojnë “të monitorojnë dhe të marrin masa parandaluese ndaj çdo personi apo veprimtarie që cenon sigurinë e Republikës së Shqipërisë”.

“Siguria kombëtare dhe interesi publik janë mbi çdo interes tjetër”, thanë nga Qeveria, duke shtuar se sa i përket hetimeve të tjera, “do të vlerësohen hap pas hapi, mbi meritat e çdo çështjeje”.

Çfarë thonë protestuesit?

Sidorela Vatnikaj, aktiviste qytetare që është shndërruar në një nga zërat kryesore të protestave në Shqipëri, thotë se është e pamundur të kesh informacione nëse dikush në mesin e protestuesve ka agjendë të fshehur.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ajo thotë se kjo detyrë u përket institucioneve shqiptare.

“Në çdo rast, qëndrimet e kujtdo që merr mikrofonin për të folur në protestë apo merr pjesë nuk përfaqëson shumicën dhe shumica janë ata që dalin në shesh çdo ditë për të mbrojtur natyrën”, thotë ajo.

Vatnikaj thekson se qëndrimet e shumicës në protestë janë pesë kërkesat që janë bërë publike, duke i kërkuar Ramës që t’i shqyrtojë ato.

Cilat janë kërkesat e protestuesve?

Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e Qeverisë së tij. Ata kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie tranzitore, jopartiake, me mandat njëvjeçar.

Protestuesit kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese përmes referendumit popullor, përfshirë kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Ndër kërkesat e tjera janë ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për trashëgiminë kulturore, si dhe shfuqizimi i statusit për investimet strategjike dhe i ligjit të njohur si “Paketa e Maleve”.

Protestuesit kërkojnë edhe hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë jopartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Ata thanë se do të vazhdojnë protestën paqësore deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ajo thotë se për të është shqetësues fakti që kryeministri Rama merret me persona të veçantë që marrin pjesë në protesta, e jo me kërkesat që protestuesit i kanë drejtuar atij.

“Nëse kryeministri ka informacion për agjenda të caktuara që shfaqen apo përfitojnë nga protesta është detyrë e institucioneve t’i hetojnë ato, dhe jo e kryeministrit t’i publikojë”, thotë Vatnikaj.

Deri më tani, Policia shqiptare ka thënë se ka kryer mbi 100 procedime lidhur me protestat. Organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje që autoritetet të ofrojnë garanci procedurale për protestuesit.

A është e ndjeshme Shqipëria ndaj ndikimeve nga Irani?

Visho Ajazi Lika, i cili ka drejtuar Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë në vitet 2012-2017 dhe ka përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në NATO më 2018-2023, thotë mundësia është e madhe që vendi të jetë veçanërisht i ndjeshëm ndaj aktivitetit iranian për shkak të sulmeve të mëparshme kibernetike si dhe strehimit të rreth 3.000 anëtarëve të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK) – që është një lëvizje opozitare në mërgim kundër regjimit në Teheran.

“Nga përvoja, edhe e imja, kemi pasur luftë kibernetike mes dy vendeve, hakime nga Irani në dy drejtime. Ishin të lidhura me aktivitetin e grupit MEK, por edhe me ne si vend strehues i tyre. Kujtoj mobilizimin që pati NATO-ja për ta ndihmuar Shqipërinë në atë kohë, pasi arriti të penetrohej goxha në sistemet qeveritare dhe ishte problem i madh”, thotë ai.

Që nga viti 2022, Tirana e ka akuzuar Teheranin për një sërë sulmesh shkatërruese kibernetike të cilat patën në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe këto çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.

I pyetur nëse ka dëshmi për ndikim iranian në Shqipëri përtej mesazheve publike dhe amplifikimit në rrjetet sociale, ish-shefi i SHISH-it shprehet:

“Irani në këto momente është vërtet i okupuar në probleme shumë të mëdha sigurie, të një niveli tejet të lartë, por thotë se ka gjithnjë një krah, i cili funksionon, siç janë sistemet e hakimit. Sigurisht ekziston rreziku i hakimit, i kërcënimeve kibernetike, por sa i përket mediave sociale dhe se çfarë ndikimi kanë iranianët në protestë, nuk do isha shumë i sigurt. Potencialisht po, por nuk kam informacion”.

Megjithatë, Ajazi Lika thotë se zërat pro Iranit në protestat në Shqipëri duhet të jenë subjekt i kontrollit të institucioneve të zbatimit të ligjit.

“Duhet hetuar çfarë lidhje kanë këta persona me Iranin. Nëse dikush e sjell atë propagandë në një mënyrë apo tjetër, duhen mbajtur në konsideratë për rrezikun që mund të sjellin në sigurinë kombëtare. Por, kjo mbështetur në fakte ose dyshime të bazuara” thotë ai për Radio Evropa e Lirë.

Për të, është e pakuptimtë se si në një protestë antiqeveritare duhet të ketë thirrje apo narrativë pro ose kundër Iranit.

“Por nëse në sfond del që këta persona janë të afektuar shpirtërisht me Iranin duhet patjetër të jenë objekt i mbikëqyrjes së organeve ligjzbatuese, pasi e dimë që Irani është vend autoritar me kapacitete të mëdha në ndërhyrjet kibernetike apo në rrjetet sociale, kanë një armatë njerëzish që merren me këtë punë, këta njerëz duhen marrë seriozisht”.

Ish-drejtori i SHISH thotë se kur flitet nga politika se kemi të bëjmë me rreziqe të tilla, pra për ndikim nga Irani, Qeveria së pari duhet t’i përcjellë këto informacione tek organet kryesore: Kuvendi dhe Presidenca.

“Tjetër gjë të thuhet në publik dhe tjetër të dihet nga institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare”. thotë Ajazi Lika.

Përplasjet Shqipëri-Iran

Disa ditë pasi nisën protestat, fillimisht kundër investimit në Zvërnec, kryeministri Rama e akuzoi Iranin për përfshirje në “luftë hibride”, teksa argumentoi se nuk bëhet fjalë për një revoltë spontane qytetare, por protesta të nxitura nga faktorë të jashtëm dhe dezinformimi.

Në një intervistë për gazetën amerikane Politico, ai tha se fushata e dezinformimit lidhet me narrativë të rremë dhe të rrezikshme, përfshirë pretendime se projekti në Zvërnec mund të përfshijë zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në territorin shqiptar.

Deklaratave të Ramës iu përgjigj zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i cili u shpreh se autoritetet në Shqipëri po shmangin shqetësimet e qytetarëve dhe po përpiqen ta zhvendosin debatin, duke akuzuar Iranin për dezinformim.

Por, Shqipëria dhe Irani nuk janë përplasur vetëm për protestat e fundit. Tensionet mes dy vendeve u rritën që kur Tirana pranoi të strehonte anëtarët e MEK-ut më 2013, të cilët u zhvendosën në Shqipëri nga Iraku, me mbështetjen e SHBA-së. Që atëherë, ata jetojnë në një kamp afër Durrësit.

Deputetët shqiptarë më 17 mars të këtij viti e miratuan një rezolutë për shpalljen e Iranit “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Po në mars, Kuvendi i Shqipërisë dhe Posta Shqiptare u goditën nga sulme kibernetike.

“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare”, tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.

Të dyja sulmet u morën përsipër nga Homeland Justice, që sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

Ndërkaq, më 1 prill, Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

Shqipëria – shtet anëtar i NATO-s – ofroi mbështetje për luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit që shpërtheu më 28 shkurt.

Që atëherë, Uashingtoni dhe Teherani kanë arritur një memorandum mirëkuptimi dhe aktualisht janë në fazë të negociatave për një marrëveshje të paqes, që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme./REL/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu