Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se lista e personave që mund të shpallen “non grata” në Shqipëri për arsye të sigurisë kombëtare mund të zgjerohet, duke theksuar se institucionet do të vijojnë të zbatojnë ligjin pa u ndikuar nga presionet politike apo publike.

Në një intervistë për Euronews Albania, Lamallari u shpreh se në tryezën e tij mbërrijnë çdo javë dhjetëra kërkesa nga agjencitë ligjzbatuese për individë që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit.

“Çdo javë kam në tryezën time dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite”, deklaroi ministri.

Sipas Lamallarit, masat mund të prekin persona të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ai theksoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.

“Nëse këta persona marrin pjesë edhe në protesta, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi. Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pikë për pikë dhe të mbrojmë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Lamallari.

Deklarata e ministrit vjen pak ditë pasi autoritetet shqiptare shpallën “non grata” për 15 vjet shtetasen Ikballe Huduti, me argumentin se aktiviteti i saj përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.

Lamallari nënvizoi se interesi publik dhe siguria e qytetarëve do të mbeten prioriteti kryesor i Policisë së Shtetit dhe i qeverisë shqiptare, pavarësisht debateve që mund të shoqërojnë vendime të tilla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu