
Një vizitë në Kalanë e Petrelës është kthyer në nisjen e një projekti të ri për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Biznesmeni Samir Mane dhe fotografi i njohur Alket Islami vizituan zonën arkeologjike të Persqopit, ku u prezantua ideja për një album të ri fotografik kushtuar pasurive historike të vendit.
Gjatë vizitës, Alket Islami i tregoi biznesmenit muret antike të vendbanimit të Persqopit, të cilat datojnë në shekullin IV para Krishtit dhe mbeten pak të njohura për publikun.
“Ne njohim vetëm Petrelën poshtë, por ndaj ju solla këtu të shohim këtë mur të Persqopit që daton në shekullin e katërt para Krishtit e që shumëkush nuk e njeh”, u shpreh Islami.
Pas prezantimit të zonës, Samir Mane mori angazhimin për të mbështetur financiarisht realizimin e një koleksioni të dytë fotografik nga ajri, që do të dokumentojë trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike të Shqipërisë.
“Kam qenë shpeshherë në Petrelë, por dija shumë pak për këtë zonë arkeologjike vetëm pak minuta larg Tiranës. Këto rrënoja i përkasin vendbanimit Persqop, që daton në shekullin IV para Krishtit. Marr angazhimin për të mbështetur Alket Islamin për të sjellë për audiencën një koleksion të dytë të pasurisë së trashëgimisë së vendit. Inkurajoj këdo që të mësojë për këtë vendbanim dhe të vizitojë sa më shumë vende të tilla”, deklaroi Mane.
Sipas njoftimit, projekti do të mbështetet nga Mane Foundation, e cila prej vitesh investon në iniciativa që synojnë promovimin e trashëgimisë kulturore, historisë dhe vlerave kombëtare.
Albumi i ri pritet të vijojë punën e Alket Islamit në dokumentimin nga ajri të monumenteve dhe peizazheve shqiptare, duke sjellë në vëmendje vende historike që mbeten ende pak të eksploruara.






