Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë nëntë persona, të cilët dyshohet se kanë qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të protestës së zhvilluar mbrëmjen e 20 qershorit.

Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të tubimit, rreth orës 22:00, shtetasit kanë vijuar qëndrimin në zonë, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.

Të proceduarit janë: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.

Policia bën me dije se këta persona kanë tejkaluar orarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit dhe kanë zaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.

Sipas autoriteteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e hapësirës dhe respektimin e ligjit, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në vend.

Strukturat e Policisë njoftojnë se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer shkelje gjatë protestës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu