
Eurodeputeti austriak dhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder ka shprehur besimin se Shqipëria do të vazhdojë të respektojë standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të pronësisë, në një deklaratë të bërë gjatë debatit në Parlamentin Europian për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Duke iu referuar zhvillimeve dhe debateve që lidhen me projekte të rëndësishme investimi në vend, përfshirë edhe diskutimet për Zvërnecin, Schieder vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Jam i sigurt se respektimi i natyrës dhe mbrojtja e të drejtave të pronësisë do të vazhdojnë të zbatohen”, tha ai.
View this post on Instagram
Eurodeputeti kujtoi se Shqipëria ka ndërmarrë më herët hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit, duke përmendur lumin Vjosa dhe deltën e tij.
“Jam i sigurt se autoritetet dhe qeveria po e marrin shumë seriozisht mbrojtjen e natyrës, njësoj si luftën kundër korrupsionit. Vjosa dhe delta e saj kanë marrë mbrojtje në të kaluarën dhe besoj se kjo qasje do të vazhdojë”, deklaroi Schieder.
Ai theksoi se krahas mbrojtjes së mjedisit, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale, duke nënvizuar se këto objektiva mund të realizohen vetëm përmes procesit të integrimit europian.
“Reformat europiane janë çelësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shqipëria ka ambicien për t’u anëtarësuar në BE dhe është e gatshme t’i zbatojë këto reforma me shpejtësi”, u shpreh ai.
Deklaratat e Schieder vijnë në një moment kur projekti turistik në Zvërnec ka nxitur debate politike dhe protesta, ndërsa institucionet europiane kanë kërkuar respektimin e standardeve mjedisore dhe procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis.






