
Skena politike në Maqedoninë e Veriut po hyn gradualisht në atmosferë zgjedhore. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se synimi i qeverisë mbetet përfundimi i mandatit deri në vitin 2028, por nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse ato kërkohen politikisht.
Duke folur para gazetarëve, Mickoski njoftoi se pas 17 qershorit do të nisin bisedimet me partnerët e koalicionit për riformatimin e qeverisë.
“Pas festimit të përvjetorit të VMRO-DPMNE-së më 17 qershor, fillojmë bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar për riformatimin e Qeverisë”, deklaroi ai.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e opozitës se vendi po shkon drejt zgjedhjeve për shkak të problemeve financiare të qeverisë, duke theksuar se ekzekutivi ka mandat të plotë katërvjeçar dhe synon zgjedhje të rregullta parlamentare në vitin 2028.
Megjithatë, Mickoski theksoi se çdo forcë serioze politike duhet të jetë e përgatitur për zgjedhje në çdo moment.
“Nëse ka sfida politike, ne jemi të gatshëm. Qëndrimi ynë është të mos kemi zgjedhje të parakohshme, por të shkojmë në zgjedhjet e rregullta të vitit 2028”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, mbështeti idenë e zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se votimet duhet të zhvillohen në pranverën e ardhshme.
Ahmeti u bëri thirrje strukturave të partisë për mobilizim maksimal, duke theksuar se organizimi dhe uniteti janë kyç për përballjen me sfidat politike që i presin në muajt në vijim.
Deklaratat e dy liderëve tregojnë se, edhe pse zgjedhjet e rregullta janë planifikuar për vitin 2028, debati për një test të ri elektoral po fiton terren në politikën maqedonase.






