
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. Operacioni i koduar “Reçaku II” u zhvillua në orët e para të mëngjesit pas muajsh hetimesh nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.
Në një konferencë për media, prokurori Ilir Morina bëri të ditur se hetimet kanë identifikuar persona që në kohën e luftës kanë qenë pjesë e njësive të posaçme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe dyshohen se kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në Reçak.
Siç merr vesh KOHA, njëri nga lokacionet ku është zhvilluar aksioni është komuna e Shtërpces, ndërsa tjetri në rajonin e Anamoraves.
Sipas Prokurorisë Speciale, pas sigurimit të provave të mjaftueshme është kërkuar urdhërarrest dhe urdhërkontroll nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka miratuar kërkesën.
Pesë të arrestuarit janë identifikuar si ish-pjesëtarë të MPB-së serbe. Katër prej tyre u arrestuan në Shtërpcë, ndërsa një tjetër në pikën kufitare të Merdarës. Autoritetet konfirmuan se një person i gjashtë, gjithashtu ish-polic serb, nuk u gjet në banesë dhe mbetet në kërkim.
Drejtori i Hetimeve për Krimet e Luftës, Bashkim Spahija, deklaroi se më 3 qershor është dorëzuar kallëzim penal ndaj gjashtë personave të dyshuar, ndërsa operacioni “Reçaku II” u organizua për realizimin e kontrolleve dhe arrestimeve.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar armë, pjesë uniformash policore, pranga, 43 fishekë, dokumente që dëshmojnë angazhimin e të dyshuarve në strukturat e MPB-së serbe, katër telefona celularë, mbi 30 mijë euro, më shumë se 400 mijë dinarë serbë dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
Masakra e Reçakut, e ndodhur më 15 janar 1999, konsiderohet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë dhe një prej ngjarjeve që tronditi opinionin ndërkombëtar, duke ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve politike dhe ushtarake në rajon.






